Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka përmendur për herë të tretë brenda pak ditësh Kosovën dhe Serbinë si shembull të konflikteve të zgjidhura, gjatë një konference për media në margjinat e Samitit të NATO-s në Hagë. Ai tha se ndërhyrja e administratës së tij ka ndihmuar në përfundimin e disa prej konflikteve më të mëdha ndërkombëtare, përfshirë atë mes Kosovës dhe Serbisë.
“U morëm me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë, Kongon dhe Ruandën. Ishin konflikte serioze, por tani janë nën kontroll,” u shpreh Trump me ton triumfalist. Sipas tij, situata në mes Kosovës dhe Serbisë është ndër ato që janë zgjidhur falë ndërmjetësimit amerikan në të kaluarën.
Kosova u përmend edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili theksoi se Aleanca është ende e angazhuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor përmes pranisë së KFOR-it në Kosovë dhe EUFOR-it në Bosnje e Hercegovinë. “Jemi të fokusuar dhe të koordinuar me BE-në për stabilitetin në rajon,” tha Rutte.
Edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, iu referua situatës në veri të Kosovës dhe prezencës së trupave turke në kuadër të KFOR-it. Ai tha se misioni i tyre është paqeruajtës dhe shpreson që të mos ketë probleme në zonë derisa forcat turke të jenë të pranishme.




