Një protestë gjithëkombëtare pritet të mbahet më 17 tetor në sheshin “Skënderbeu” në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.
Kjo do të jetë protesta e tretë me radhë gjatë këtij viti, përmes së cilës është kërkuar lirimi i tyre.
Kjo protestë është mbështetur nga dy krerët e partive opozitare në Kosovë, Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Krasniqi ka thënë se le të jetë kjo protestë thirrje e të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë, për të mbrojtur historinë, dinjitetin dhe luftën për liri.

“Nga Tirana në Prishtinë, nga Shkupi në Ulqin, nga Presheva deri në diasporë, një zë, një qëndrim, një kauzë: Drejtësi për çlirimtarët tanë!”, ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”.
Mbështetje kësaj proteste i ka dhënë edhe Haradinaj. “Qëndrojmë gjithmonë në të drejtën e luftës sonë për liri”, ka thënë ai.





