Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është futur në “vdekje klinike” dhe se marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë janë dëmtuar rëndë, si pasojë e qasjes së kryeministrit Albin Kurti.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se dialogu ka humbur vlerën për shkak të të papërgjegjshmërisë së Kurtit.
“Falë qasjes së papërgjegjshme të Kurtit kemi një humbje të ambicies së aleatëve tanë për t’u përfshirë drejt për drejt në procesin e dialogut dhe mund të them që tani dialogu është në vdekje klinike”, tha Çitaku.
Ajo shtoi se Kosova ka fituar vetëm kur ka qenë e bashkërenduar me aleatët ndërkombëtarë. Megjithkëtë, Çitaku theksoi se Kurti nuk do të jetë më kryeministër.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, gjatë një deklarate për Ekonomia Online ka thënë se sjellja e Kurtit ka cenuar skajshmërisht raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Më teje ai ka theksuar se dialogu me Serbinë ka ngecur si pasoj e mos formimit të qeverisë së re dhe konstituimit të Kuvendit që nga zgjedhjte e 9 shkurt.
“Mendoj që janë cenuar ekstremisht marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, kemi pezullim të dialogut strategjik. Jemi edhe nën sanksione, nuk ka ku shkon më keq me këtë qeveri dhe me këtë sjellje të Albin Kurtit”, tha Zemaj.





