Aleanca Kosovare e Bizneseve ka reaguar ndaj publikimit të fundit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës lidhur me të hyrat nga mërgata për vitin 2024 në krahasim me vitin 2014.
Sipas AKB-së, këto statistika dyshohet të jenë të motivuara politikisht pasi që gjendemi në një fushatë zgjedhore.
Në reagimin e saj, AKB e ka vënë në pikëpyetje metodologjinë e zgjedhur nga ASK, duke e cilësuar këtë krahasim si të pazakontë dhe të paarsyetuar profesionalisht.
AKB këtë përpjekje për ta paraqitur rritjen e remitancave si sukses ekonomik, e konsideron si një mashtrim publik.
Sipas saj, këto të ardhura janë rezultat i largimit të qytetarëve jashtë vendit dhe nuk reflektojnë zhvillim të qëndrueshëm vendor.
Aleanca Kosovare e Bizneseve i bën thirrje Agjencisë së Statistikave të Kosovës që të ndalojë përdorimin e statistikave për qëllime politike, dhe të rikthehet në rolin e saj si institucion i pavarur dhe profesional, duke publikuar të dhëna të plota, të paanshme dhe të dobishme për publikun dhe politikëbërësit.





