Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, përmes një reagimi publik ka akuzuar LVV-në, sipas saj për blerje të votave me para të taksapaguesve.
Bajrami e ka cilësuar këtë veprim si një skemë të pastër të korrupsionit publik.
Ajo shton se kostoja e këtyre veprimeve, kap vlerën prej 26 milionë eurosh, të cilat janë përdorur nga LVV-ja për të siguruar mbështetje elektorale për zgjedhjet lokale që mbahen më 12 tetor.
“Prokuroria është vonuar t’i nxjerrë nga zyra këta uzurpatorë që blejnë vota me taksat e qytetarëve. Kjo është një skemë e korrupsionit publik,” ka shkruar Bajrami.
Deputetja e LDK-së tutje thotë se qytetarët do të reagojnë përmes votës, duke ndëshkuar ata që kanë keqpërdorur paratë publike për përfitime politike.





