Dogana e Kosovës ka njoftuar se në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” ka ndaluar pajisje profesionale të përdorura për ndërhyrje estetike në fushën e transplantit të flokëve.
Sipas njoftimit, këto pajisje janë gjetur gjatë skanimit të bagazheve të një udhëtari që po hynte në territorin e Republikës së Kosovës.
“Mallrat në fjalë përbëhen nga pajisje profesionale të përdorura për ndërhyrje estetike në fushën e transplantit të flokëve, duke përfshirë instrumente mjekësore, pajisje ndihmëse, materiale sterile, preparate për trajtim pas ndërhyrjeve dhe mjete të tjera përkatëse. Mallrat janë ndaluar përkohësisht, deri në përfundimin e procedurave përkatëse”, thuhet në njoftim.
Dogana e Kosovës ka rikujtuar obligimin që çdo qytetar të deklarojë mallrat që bart me vete në hyrje të territorit të Kosovës, pasi mosdeklarimi i tyre përbën shkelje ligjore.







