Nën udhëheqjen e drejtorit të Përgjithshëm kolonel Gazmend Hoxha, i cili ishte i shoqëruar nga stafi i lartë menaxhues, u mbajt një takim lidhur me angazhimin e Policisë së Kosovës në implementimin e planit policor për “Zgjedhjet lokale 2025”.
Në këtë takim morën pjesë stafi i lartë menaxhues, drejtorët e departamenteve, divizioneve dhe drejtorive rajonale, të cilët u njoftuan lidhur me planifikimet, vlerësimet dhe angazhimet policore në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, si një proces mjaft i rëndësishëm për vendin.
Drejtori Hoxha, gjatë këtij takimi, diskutoi për planin e zgjedhjeve lokale, ku potencoi se krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, është primare për Policinë e Kosovës, andaj kërkoi që ky plan të zbatohet me profesionalizëm dhe me përkushtim të lartë, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet tjera të përfshira në këtë proces.
Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor në katër faza, siç është filluar nga periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, pastaj angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës parazgjedhore, angazhimi dhe garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve si dita (Z), si dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit senzitiv e deri në përfundim të procesit.




