Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur për situatën në të cilën gjendet Kuvendi dhe për masën e përkohshme të vendosur nga Kushtetuesja.
Osmani, në konferencë për media pas dorëzimit të komenteve në Gjykatën Kushtetuese, ka thënë se posti i nënkryetarit të Kuvendit që i takon komunitetit serb, sipas Kushtetutës, mbetet i rezervuar për këtë komunitet dhe nuk mund të zëvendësohet nga askush tjetër.
Ajo tha se ky pozicion mund të plotësohet në një seancë të ardhshme, pa penguar konstituimin e Kuvendit.
Sipas saj, nuk është hera e parë që Lista Serbe ka bojkotuar institucionet e vendit, mirëpo shteti duhet të ecë përpara.
Presidentja Vjosa Osmani shtoi se bllokimi i kuvendit për moszgjedhjen e një nënkryetari përderisa kryesia ka kuorum, do ta cenonte në mënyre serioze edhe themelet mbi të cilat është ndërtuar Republika.
Osmani, në konferencën e sotme për media ka folur edhe për masën e përkohshme të caktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Ajo në konferencë për media tha se masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese për Kuvendin e Kosovës ndalon çdo procedurë, përfshirë edhe caktimin e mandatarit.
Osmani gjithashtu ka folur edhe për Gjyqtarin në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Laban
Ajo ka deklaruar se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me gjyqtarin Laban, brenda kompetencave të saj.
Ajo sqaroi se roli i gjyqtarit raportues ndryshon nga ai i anëtarit me të drejtë vote dhe se në rastin konkret Laban nuk është gjyqtari drejtues.




