Me kërkesë të Prokurorisë dhe me aprovimin e Gjykatës, është marrë vendim që të kontrollohen kompjuterët dhe printerët që ka përdorur ish-presidenti Hashim Thaçi gjatë qëndrimit të tij në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Sipas një dokumenti gjyqësor, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, më 8 shtator 2025 ka autorizuar “kontrolle shtesë forenzike” mbi materialet e ruajtura nga pajisjet që pretendohet se janë përdorur nga Thaçi.
Analizat janë kryer nga një kompani e jashtme forenzike, e cila ka marrë kopje të të gjitha dokumenteve dhe printimeve të realizuara nga kompjuterët e ish-presidentit dhe më pas i ka dorëzuar ato në Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në dokumentin e cituar thuhet se qëllimi i këtij veprimi ishte analiza e plotë forenzike e materialeve të përdorura nga Thaçi për çështje që lidhen me procesin gjyqësor ndaj tij.
Kontrolli i pajisjeve elektronike është zhvilluar gjatë muajit shtator dhe për këtë veprim ka qenë në dijeni edhe ekipi mbrojtës i ish-presidentit.
Ky vendim vjen pas një serie masash të ndërmarra ndaj Thaçit, përfshirë ndalimin e vizitave nga mbi dhjetë persona, të cilat ishin urdhëruar më herët nga e njëjta gjyqtare.




