Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka refuzuar akreditimin për monitorimin e zgjedhjeve, vendim të cilin e ka cilësuar si arbitrar dhe të paarsyetuar.
Sipas IKD-së, vendimi i KQZ-së nuk përmban arsyetim ligjor, nuk sqaron bazën juridike dhe nuk ofron udhëzime për mjetet e ankesës.
Instituti thotë se vendimi keqinterpreton Ligjin për Zgjedhjet dhe shkel standardet ndërkombëtare për transparencë dhe monitorim zgjedhor.
IKD paralajmëron se do të shfrytëzojë të gjitha mekanizmat administrativë dhe ligjorë për ta kundërshtuar këtë vendim, me qëllim që të mbrojë të drejtën e organizatave joqeveritare për të monitoruar procesin zgjedhor dhe për të garantuar standardet demokratike në vend.




