Në një takim me studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, kreu i SPAK, Altin Dumani, theksoi se lufta kundër korrupsionit nuk është përgjegjësi vetëm e SPAK-ut, por kërkon përfshirjen e të gjitha institucioneve dhe qytetarëve.
Dumani bëri të ditur se, megjithëse SPAK është funksional vetëm prej pak vitesh, ka arritur rezultate konkrete, duke ngritur akuza ndaj individëve me peshë politike, përfshirë kryetarë bashkish, deputetë dhe ministra. Ai shtoi se rreth 50% e këtyre rasteve kanë përfunduar me vendime të gjykatave.
Në përfundim të mandatit të tij, Dumani u shpreh i kënaqur me arritjet e institucionit dhe njoftoi se detyrën do t’ia dorëzojë Klodian Brahos, i cili do ta udhëheqë SPAK për tre vitet e ardhshme.
Takimi me studentët u organizua nga Komiteti i Helsinkit dhe Bashkimi Evropian në kuadër të bashkëbisedimeve mbi temën “Lufta kundër korrupsionit”.




