Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Muhamet Alidemajn për krime lufte kundër popullsisë civile dhe e ka dënuar me 13 vjet burgim, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor më 2 shkurt 2026.
Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, bëri të ditur se vendimi lidhet me veprimet e Alidemajt gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë në periudhën 24 mars – 11 qershor 1999, ku ai, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, kryen dhunë ndaj civilëve, ndau gratë dhe fëmijët nga burrat dhe mori pjesë në vrasjen e 130 personave.
Rasti ishte kthyer për rigjykim nga Gjykata e Apelit pas vendimit fillestar të Gjykatës Themelore në Prishtinë më 12 korrik 2024, kur Alidemaj ishte dënuar me 15 vite burg për pjesën e krimeve të luftës, ndërsa për pjesën e zhvarrosjes së trupave me ekskavator prokurori ishte tërhequr nga akuzimi.
Hetimet tregojnë se trupat e viktimave u gjetën më pas në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, në fshatin Suhodoll të Mitrovicës dhe në fshatin Novolan të Vushtrrisë. Dënimi i sotëm është bazuar në dispozitat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas ligjit të atëhershëm dhe Kodit Penal të Kosovës.




