Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Teknikë dhe të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka deklaruar se në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë nuk është respektuar vendimi për pagën minimale.
Sipas Azemit, punëtorët teknikë në këtë institucion janë paguar me nga 350 euro, ndonëse vendimi i miratuar më 31 tetor 2025 përcakton se nga 1 janari 2026 paga minimale nuk duhet të jetë më e ulët se 425 euro, ndërsa nga muaji korrik e njëjta parashihet të rritet në 500 euro.
Ai ka bërë të ditur se për këtë shkelje do të njoftohet Inspektorati i Punës, duke theksuar se nëse situata nuk adresohet, rasti mund të përfundojë edhe në gjykatën kompetente.




