Opinionisti dhe ekonomisti Shenoll Muharremi ka reaguar ndaj kërkesës së KESCO-s për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 21%, duke ilustruar ndikimin konkret që kjo rritje do të kishte në faturat mujore të qytetarëve.
Sipas tij, fatura e energjisë për muajin janar ka arritur në 356 euro, ndërsa me zbatimin e rritjes së propozuar, shuma do të shkonte në rreth 430 euro.
Muharremi ka ndarë edhe shpenzimet e muajve të fundit, duke theksuar se rritja ka qenë graduale: në tetor fatura ka qenë 55 euro, në nëntor 158 euro, në dhjetor 255 euro, ndërsa në janar ka arritur në 356 euro.
Ai thekson se këto shpenzime janë regjistruar pavarësisht përdorimit të pajisjeve efikase dhe kujdesit maksimal në konsum, duke ngritur shqetësimin për ndikimin që një rritje e re e çmimit të energjisë do të kishte mbi buxhetin familjar.





