Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka reaguar lidhur me kërkesën e KESCO-s për rritje të çmimit të energjisë elektrike, duke e cilësuar si një goditje të rëndë për ekonominë e Kosovës.
Sipas Shahinit, një rritje e paralajmëruar prej 21.3% do të ndikonte negativisht tek bizneset, prodhimi vendor dhe qytetarët, veçanërisht tek ata me të ardhura të ulëta. Ai ka theksuar se çmime të larta të energjisë e vështirësojnë zhvillimin ekonomik, rritjen e punësimit dhe qëndrueshmërinë ekonomike, duke rrezikuar investimet dhe konkurrencën rajonale.
Shahini e ka cilësuar situatën si një alarm kombëtar, duke kërkuar reagim të menjëhershëm institucional dhe ndërhyrje nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës për të ndaluar këtë rritje të çmimit të energjisë.




