Çerkin Dukolli dhe Izet Shala kanë reaguar ashpër ndaj deklaratave të aktorit Sevdai Radogoshi lidhur me mungesën e studentëve të Malishevës në teatër, duke theksuar kontributin e madh kulturor dhe artistik të kësaj zone për shumë vite.
REAGIM
Malisheva krijonte kulturë kombëtare, kur dikush i shërbente paktit Athinë – Beograd- Moskë.
Qumili dhe deklarimi i tij për jetën kulturore dhe artistike të studentëve të Malishevës.
Qumil, duke e respektuar humorin tënd të kultivuar ndër vite pavarësisht përmbajtes dhe vlerave, më duhet t’i kujtoj vetëm disa projekte dhe aktivitete artistike që kanë ndodhur në katundet e Malishevës gjatë viteve ’80 dhe 90-ta.
Malisheva dhe fshatrat e saj kanë pasur dhjetëra SHKA që kanë kultivuar dhe promovuar kulturën, këngën, dhe dramën si gjini letrare.
Për studentët e Malishevës që ju deklaroni se asnjëherë nuk kanë vizituar teatrin, ju kujtoj me mirësi dhe vërtetësi se:
Në Malishevë në fshatin Mirushë dhe nga aktorët amator të këtyre fshatrave në vitet 1981/1982 është realizuar mbi 80% filmi “Lepuri me pesë këmbë” në regji të Ismail Ymerit (tani ndjerë).
Në këtë film produkt i “Kosovafilmit” rolet kryesore i kanë luajtur aktorët nga Malisheva: Beqir Gashi (tani hero i kombit), Milazim Dukolli, Lavdije Thaqi, Naim Kryeziu, Xhevdet Gashi, Zeqir Kryeziu e shumë aktor tjerë që për momentin nuk më kujtohen emrat e tyre.
Sa për teatër po të ofroj një informacion, prej vitit 1992 në fshatin Bubavec ka funksionuar grupi dramatik “Jusuf Gërvalla” me aktor dhe drejtues nga po ky fshat, njerëz me vullnet dhe prirje të mëdha kombëtare dhe artistike.
Ky grup dramatik në vitin 1992 ka realizuar me kujdes dhe mjeshtëri të rrallë artistike dramën “Procesi” të autorit, Jusuf Gërvalla.
Po du me besu që të paktën e keni lexuar këtë vepër dhe e dini përmbajtjen e saj.
Për këtë projekt krejt provat i kemi realizuar në xhaminë e fshatit Bubavec që tanimë në hapësirat shqiptare njihet si Xhamia e Pajtimit me ndihmën e madhe të Hoxhës Xhevat Kryeziu dhe gjithë banorëve të fshatit tonë.
Edhe pse nën represale e nën përcjellje nga okupatori i kohës, ne nuk jemi ndalur dhe këtë dramë e kemi shfaqur në Malishevë, Bllacë të Suharekës, në Drenas dhe pas çdo prezentimi kemi marrë kritikat ma pozitive si realizim artistik.
Qumil, Malisheva i ka dhënë shumë artistë të mëdhenj kombit tonë nga Nexhmije Pagarusha, Salihi e Ferizi, Bijtë e Sef Mleqanit, aktorët Avni Hoti, Sheqerie Buqaj, Ismet Krasniqi e shumë tjerë deri te brezi i sotëm.
Malisheva krenohet me studentët e saj nga secila gjeneratë prej dekadash, për angazhimet e tyre për familjen, angazhimet në aktivitete ilegale e çlirimtare, në arsim, shkencë, kulturë, sport e punë publike.
Qumil për dallim nga ti që kujdestaron se kush viziton teatrin, qytetarët e Malishevës punojnë, e kultivojnë dhe e realizojnë vetë teatrin.





