Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj rritjes së çmimit të naftës në Kosovë, i cili ka arritur në rreth 1.71 euro për litër, duke shprehur shqetësim për ndikimin në ekonominë familjare dhe bizneset.
Ajo ka vënë në pikëpyetje efektin e “tavanit” të vendosur për çmimet, duke theksuar se rritja e karburanteve ndikon drejtpërdrejt në çmimet e produkteve të tjera. Sipas Bajramit, për një vend që varet nga importi si Kosova, kjo situatë përkeqëson koston e jetesës.
Deputetja ka propozuar uljen e TVSH-së në karburante nga 18% në 8% dhe përgjysmimin e akcizës, derisa tregu të stabilizohet. Ajo gjithashtu ka kritikuar Qeverinë për mungesë veprimi dhe ka bërë thirrje për masa konkrete në mbështetje të qytetarëve.




