Kampionia olimpike Majlinda Kelmendi ka bërë thirrje që historia e suksesit të xhudistëve kosovarë të shërbejë si motivim për gjeneratat e reja në Kosovë. Ajo foli të martën në Pejë, me rastin e hapjes së zyrës rajonale të RTK.
Kelmendi theksoi rëndësinë e sportit dhe të pasjes së idhujve për të rinjtë, duke nënvizuar se sukseset e sportistëve duhet të shërbejnë si shembull. Ajo veçoi Distria Krasniqi si një nga modelet më të mira aktuale për të rinjtë në vend.
Duke rikujtuar fillimet e saj në xhudo, Kelmendi foli për sfidat e mëdha që kanë kaluar. Sipas saj, nga viti 2000 deri më 2013, rrugëtimi i tyre është mbështetur kryesisht nga Driton Kuka dhe familja e tij, duke e cilësuar këtë periudhë si shumë të vështirë, por të shpërblyer me suksese të mëdha ndërkombëtare.
Ajo gjithashtu përmendi arritjet e saj si kampione evropiane, botërore dhe olimpike, si dhe vlerësimin e trajnerit Driton Kuka si një nga më të mirët në Evropë dhe në botë.
Në fund, Kelmendi përshëndeti hapjen e zyrës së RTK në Pejë, duke e cilësuar si një zhvillim të rëndësishëm për qytetin, i njohur për traditën në art, kulturë dhe sport.




