Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në konferencën hapëse të Javës së Gruas (WoW) 2026, njoftoi se shtimi i numrit të komisioneve parlamentare synon të forcojë mbikëqyrjen e qeverisë dhe institucioneve të pavarura, duke përmirësuar cilësinë e shqyrtimit të ligjeve dhe angazhimin e Kuvendit në procesin legjislativ.
Haxhiu theksoi se komisionet janë hapësira ku bëhet pjesa më përmbajtësore e shqyrtimit të projektligjeve, jashtë seancave plenare. Ajo shpjegoi se aktualisht janë themeluar 16 komisione parlamentare për të garantuar që secili të ketë ministrinë që e mbikëqyr.
“Ka pasur kritika për numrin e komisioneve dhe shpenzimet, por duke marrë parasysh përbërjen e qeverisë dhe numrin e ministrive, kjo rritje është e domosdoshme për mbikëqyrje efektive,” tha Haxhiu.
Kryetarja e Kuvendit theksoi rëndësinë e mbikëqyrjes së 33 institucioneve të pavarura që raportojnë në Kuvend, duke shtuar se puna më e madhe bëhet brenda komisioneve, jo vetëm në seancat plenare.
Haxhiu nënvizoi gjithashtu se Kuvendi ka pranuar agjendën legjislative të qeverisë me rreth 174 projektligje, ku roli i komisioneve është kyç për shqyrtimin dhe trajtimin efektiv të tyre. Ajo shtoi se përfshirja e organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve të ndryshme në grupet punuese është e nevojshme për t’u siguruar që ligjet të jenë të zbatueshme dhe të përshtatura për rrethanat e vendit.
“Si kryetare, do të angazhohem maksimalisht që trajtimi i ligjeve të bëhet sa më profesionalisht, duke marrë parasysh edhe aspektin gjinor,” tha Haxhiu./EO/




