Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka paralajmëruar se bllokimi i Ngushticës së Hormuzit mund të shkaktojë mungesë ushqimi në Lindjen e Mesme dhe krizë energjetike globale.
Në një postim në Facebook, Shahini theksoi se kjo arterie strategjike është jetike për ekonominë botërore:
Mbi 80% e ushqimit për Lindjen e Mesme kalon përmes këtij korridori.
Mbi 50% e ujit të pijshëm sigurohet nga desalinizimi në rajon.
Rreth 20% e energjisë globale transportohet përmes tij.
Shahini theksoi se një ndërprerje në këtë zonë nuk është thjesht një krizë rajonale, por një tronditje globale, me pasoja të menjëhershme si mungesë ushqimi dhe uji, rritje drastike të çmimeve të energjisë dhe destabilizim të tregjeve ndërkombëtare.
Aleanca Kosovare e Bizneseve i bën thirrje institucioneve ndërkombëtare dhe kombëtare të diversifikojnë rrugët e furnizimit, të rrisin rezervat strategjike dhe të forcojnë sigurinë ushqimore dhe energjetike, për të shmangur pasoja të paparashikueshme globale.




