Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se vendi do të përballet me kushte të paqëndrueshme atmosferike gjatë ditëve në vijim, të shoqëruara me reshje shiu, rënie temperaturash dhe rrezik për ngrica pranverore.
Sipas parashikimeve, gjatë orëve të vona të së enjtes priten reshje lokale shiu si pasojë e depërtimit të një mase ajrore më të lagësht dhe jostabile mbi rajon, ndërsa reshjet do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së premte.
Fundjava pritet të karakterizohet me mot të paqëndrueshëm dhe reshje të herëpashershme shiu. Në zonat malore dhe në lartësi më të mëdha, reshjet mund të shndërrohen në borë për shkak të uljes së temperaturave.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 1°C deri në 4°C, ndërsa maksimalet nga 6°C deri në 12°C.
Nga dita e hënë parashihet një stabilizim relativ i motit, me kushte mesatarisht të vranëta dhe intervale me diell, megjithëse në disa zona mund të ketë reshje të dobëta lokale.
Në pjesën e dytë të javës së ardhshme, veçanërisht në viset malore, pritet rikthim i reshjeve të borës për shkak të depërtimit të masave më të ftohta ajrore nga veriu dhe verilindja.
Instituti ka paralajmëruar gjithashtu për rrezikun e ngricave pranverore në periudhën nga 31 marsi deri më 4–5 prill, kur temperaturat minimale mund të zbresin nën zero gjatë orëve të hershme të mëngjesit. Këto kushte mund të dëmtojnë sektorin e bujqësisë, sidomos kulturat në fazën e lulëzimit.
Për këtë arsye, fermerëve u rekomandohet krijimi i shtresave mbrojtëse me tym për të reduktuar ftohjen gjatë natës, monitorimi i vazhdueshëm i temperaturave dhe marrja e masave shtesë mbrojtëse bazuar në përvojën praktike, me qëllim zvogëlimin e dëmeve dhe ruajtjen e prodhimit bujqësor.




