Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, e ka kritikuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’i dhënë pagën e 13-të vetëm punonjësve të sektorit publik, duke e konsideruar atë si të padrejtë dhe diskriminuese ndaj sektorit privat.
Sipas Shahinit, ky vendim krijon një ndarje të rrezikshme në shoqëri, duke favorizuar një kategori në kurriz të tjerëve, edhe pse të gjithë qytetarët dhe bizneset kontribuojnë në buxhetin e shtetit. Ai thekson se sektori privat, i cili siguron shumicën e vendeve të punës dhe të ardhurat kryesore për shtetin, po neglizhohet pa arsye.
“Paga e 13-të për sektorin publik nuk është një meritë, por një shpërblim selektiv që cenon parimet e barazisë dhe konkurrencës së ndershme”, tha Shahini.
Ai ka kërkuar nga qeveria që të rishikojë këtë qasje dhe të sigurojë subvencione edhe për punëtorët e sektorit privat dhe grupet sociale, duke garantuar barazi për të gjithë kontribuesit. Shahini paralajmëron se vendime të tilla mund të ndikojnë negativisht në klimën e biznesit dhe besimin në institucionet shtetërore.




