Përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Prokurorisë Speciale të Kosovës lidhur me çështjen e njehsorëve elektrikë, duke e cilësuar atë si një skandal të madh.
Ai akuzoi Ministrinë e Industrisë dhe Tregtisë dhe KEDS për mosveprim ndaj ankesave të qytetarëve ndër vite, duke shtuar se institucionet kanë dështuar të mbrojnë konsumatorët.
Sipas Azemit, mungesa e licencimit të laboratorëve të pavarur dhe mosreagimi ndaj ankesave ka lejuar manipulime të mundshme me njehsorët elektrikë. Ai kërkoi hetim të plotë për të dy institucionet dhe ngriti pyetje për rastet e mëparshme që nuk janë trajtuar.
Azemi theksoi se qytetarët e dëmtuar duhet të kompensohen, ndërsa paralajmëroi se çështja do të dërgohet në organet e drejtësisë për zbardhje të plotë.




