Zëdhënësja e KEDS-it, Bleona Dallaveraj, ka sqaruar se të gjithë njehsorët elektrikë të vendosur nga kompania masin energjinë saktë dhe nuk ka manipulim. Ajo shtoi se çdo devijim teknik i regjistruar do të kompensohet plotësisht për qytetarët.
Dallaveraj theksoi se njehsorët i përmbushin standardet evropiane dhe rregulloret vendore, ndërsa devijimet e kohës janë normale dhe nuk ndikojnë në faturim. Për çdo devijim jashtë normës, KEDS siguron kompensim të plotë, madje edhe për centin e fundit.
Flamur Kurtaj, menaxher i ndërrimit të njehsorëve, apeloi tek konsumatorët të shfrytëzojnë energjinë gjatë periudhës 22:00–07:00, duke sqaruar se të gjitha matjet e njehsorëve digjitalë janë të miratuara nga Zyra Rregullatore e Energjisë.
KEDS dhe KESCO nuk përfitojnë financiarisht nga këto devijime, dhe çdo korrigjim bëhet sipas rregulloreve dhe procedurave të miratuara.




