Drejtoria e Policisë në Bashkësi, në bashkëpunim me Drejtorinë e Trajnimeve dhe përfaqësues të misionit të OSBE-së në Kosovë, organizoi në Prishtinë një tryezë me temë “Masat parandaluese dhe mbrojtja e fëmijëve nga keqpërdorimi i internetit”.
Në këtë aktivitet morën pjesë zyrtarë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, përfshirë mbikëqyrës të stacioneve dhe zyrtarë të sektorëve të ndryshëm të policisë në kryeqytet.
Qëllimi i tryezës ishte rritja e njohurive dhe forcimi i kapaciteteve për parandalimin e abuzimeve online dhe mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet në hapësirën kibernetike.
Gjatë takimit, përfaqësues nga Sektori për Parandalimin e Krimit dhe Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike prezantuan tema që lidhen me sfidat dhe mënyrat e adresimit të tyre.
Policia theksoi se bashkëpunimi me nxënësit, institucionet arsimore dhe prindërit mbetet thelbësor për ndërgjegjësimin dhe mbrojtjen e fëmijëve në botën digjitale.




