Koordinatorja për Rastet e Dhunës në Familje dhe prokurore në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula, ka theksuar se institucionet mbeten të përkushtuara në luftimin e dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
Ajo këto komente i bëri gjatë një tryeze të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ku u diskutua trajtimi institucional i këtyre rasteve gjatë vitit 2025.
Pula nënvizoi rolin e rëndësishëm të prokurorisë dhe nevojën për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve, përfshirë policinë, gjykatat dhe qendrat për punë sociale. Sipas saj, pa koordinim të mirëfilltë, mbrojtja e viktimave mbetet e kufizuar.
Ajo theksoi se Kosova ka një bazë të avancuar ligjore, por sfida kryesore mbetet zbatimi i tyre në praktikë, reagimi i shpejtë dhe mos tolerimi i asnjë forme të dhunës.
Në fund, Pula ritheksoi se institucionet duhet të dërgojnë një mesazh të qartë se dhuna nuk tolerohet dhe se viktimat nuk janë të vetme, duke shtuar se përveç ndëshkimit të krimit, prioritet mbetet mbrojtja e jetës dhe dinjitetit njerëzor.




