Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, është takuar me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ku u diskutua për mbështetjen e vazhdueshme gjermane për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Sipas njoftimit të Ambasada e Gjermanisë, Gjermania do të ofrojë 3 milionë euro për vitin 2026, të dedikuara për pesë projekte kyçe brenda iniciativës Enable and Enhance.
Projeketet fokusohen në forcimin e shërbimeve mjekësore, logjistikës dhe kapaciteteve të zjarrfikjes brenda FSK-së, duke rritur gatishmërinë operacionale dhe zhvillimin institucional.
Gjithashtu, Gjermania vazhdon mbështetjen për trajnimin ushtarak të kadetëve kosovarë, të cilët aktualisht ndjekin programe gjuhësore në Gjermani dhe do të vazhdojnë arsimimin për oficerë sipas standardeve të NATO-s.
Programi bilateral përfshin gjithashtu shkëmbime ekspertësh, trajnime në logjistikë, polici ushtarake dhe arsimim për oficerë.
Ambasada thekson se Gjermania ka qenë dhe mbetet një partner i besueshëm për FSK-në dhe për integrimin euro-atlantik të Kosovës.




