Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka shprehur shqetësim për vendimin e 30 marsit 2026 të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës për rishpalljen e konkursit për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm.
Në një komunikatë për media, GLPS thekson se procesi i rekrutimit është monitoruar në të gjitha fazat dhe nuk janë evidentuar shkelje që do të cenonin ligjshmërinë apo meritokracinë. Sipas tyre, vendimi për mos-emërimin e asnjë kandidati dhe rihapjen e konkursit përbën shkelje ligjore.
Organizata vlerëson se Kryesia ka dështuar të përzgjedhë njërin nga kandidatët e ligjshëm, ndërsa ka anashkaluar një proces të rregullt përmes votimit, ndonëse legjislacioni në fuqi nuk ia njeh këtë kompetencë për të refuzuar të gjithë kandidatët.
Po ashtu, rishpallja e konkursit është bërë pa përfunduar procedura ekzistuese.
Sipas GLPS-së, anulimi i procesit vetëm për shkak të mungesës së votave, pa konstatuar shkelje ligjore, krijon një precedent të rrezikshëm që cenon parimet e shërbimit civil, si meritokracia, profesionalizmi, depolitizimi dhe mosdiskriminimi.
Tutje, theksohet se një vendim i tillë dëmton të drejtat dhe pritshmëritë e kandidatëve dhe mund të dekurajojë aplikimet në të ardhmen për këtë pozitë.
GLPS rikujton se roli i Kryesisë është mbikëqyrës dhe jo vendimmarrës politik në këtë proces, duke paralajmëruar se praktika të tilla mund të çojnë në dështime të qëllimshme të procedurave të rekrutimit në të ardhmen.
Në fund, GLPS i bën thirrje Kryesisë së Kuvendit që të rishqyrtojë vendimin dhe të përmbyllë procesin në përputhje me ligjin, duke emëruar njërin nga kandidatët fitues.




