Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka folur në Kuvend për shqetësimet mbi njehsorët elektrikë, duke theksuar se nuk ka manipulim të konsumit të energjisë.
Ajo bëri të ditur se ditën e djeshme ishin 70 kërkesa për verifikim të njehsorëve, ndërsa sot janë 206 kërkesa, të cilat po trajtohen nga Agjencia e Metrologjisë në bashkëpunim me Inspektoriatin Qendror të Tregut.
Ministrja sqaroi se verifikimi është në fazë fillestare dhe deri tani nuk ka ndryshim të vëllimit të energjisë së matur apo të tarifave, por vetëm konfirmim teknik i funksionimit të njehsorëve.
Ajo gjithashtu kujtoi se ligji për metrologjinë parashikon sanksione dhe dënime për subjektet fizike dhe organizatat, dhe rezultatet e analizës do t’i dorëzohen Zyrës së Rregullatorit për të marrë masat e nevojshme.




