Analisti dhe njohësi i çështjeve politike, Arton Muhaxheri, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në proceset gjyqësore në Hagë, duke i cilësuar si ndër padrejtësitë më të mëdha të dekadave të fundit.
Muhaxheri theksoi se mungesa e reagimit institucional dhe shoqëror është e papranueshme, duke shtuar se ndërhyrja për të kundërshtuar padrejtësinë nuk duhet konsideruar ndërhyrje në drejtësi.
Ai bëri thirrje që partitë opozitare si Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe organizatat e dala nga lufta, të intensifikojnë reagimin publik dhe politik për të shprehur kundërshtimin ndaj proceseve gjyqësore.
“Vizitat e deritanishme në Hagë kanë treguar mbështetje morale, por tani duhet rritje e angazhimit publik dhe politik. Nëse jo qeveria, atëherë PDK, AAK dhe shoqatat e dala nga lufta duhet të reagojnë në mënyra më dinamike për të treguar se nuk pajtohen me këtë gjykatë,” tha Muhaxheri.
Ai kritikoi edhe institucionet shtetërore, duke theksuar se ato “prej kohësh kanë hequr dorë nga çlirimtarët”.




