Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim presidentin e fondacionit Renovabis, Thomas Schwartz, i cili shoqërohej nga ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti e falënderoi Schwartzin për vizitën dhe kontributin e fondacionit në Kosovë, duke veçuar projektet në mbështetje të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Ai theksoi rëndësinë e investimeve në edukim, trajnime profesionale dhe fuqizimin e grupeve të margjinalizuara.
Fondi Renovabis, pjesë e Kishës Katolike Gjermane dhe aktiv në 29 shtete të Evropës Qendrore dhe Lindore, ka një prani të rëndësishme në Kosovë përmes projekteve sociale dhe arsimore.
Palët diskutuan për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit, si dhe për rolin e fondacionit në avokimin për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë për Kosovën. Në fund të takimit, kryeministri Kurti uroi presidentin e Renovabis dhe besimtarët katolikë për festën e Pashkëve.




