Rasti i vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu më 7 korrik 2025 në Lipjan ende nuk ka marrë epilog, pas dyshimeve se pesë zyrtarë policor mund të jenë përgjegjës për vdekjen e tij nga pakujdesia.
Familja Zejnullahu shpreh zhgënjim për pritjen e gjatë për drejtësi, ndërsa një hap drejt zbardhjes është bërë. Mostrat e toksikologjisë, të dërguara jashtë vendit, tashmë kanë mbërritur dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) pritet të përmbyllë raportin përfundimtar brenda prillit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë konfirmoi se ka pranuar raportin e autopsisë dhe po e analizon, duke ndërmarrë të gjitha veprimet relevante hetimore. Dyshuar në rast janë zyrtarët Ibrahim Nela, Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri, të cilët vazhdojnë të jenë të suspenduar.
Rasti kishte shkaktuar reagime të shumta dhe dorëheqjen e komandantit rajonal të Policisë për rajonin e Lipjanit, Argjend Gashi.




