Sot shënohen 27 vjet nga masakra në Rezallë të Skenderaj, ku më 5 prill 1999 forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe ekzekutuan 98 civilë shqiptarë, banorë të këtij fshati dhe zonave përreth.
Sipas të dhënave, 44 nga viktimat ishin zhdukur me forcë, ndërsa trupat e disa prej tyre u gjetën më vonë në Rudnicë të Rashkë dhe iu kthyen familjarëve. Masakra ndodhi pasi forcat serbe rrethuan shtëpitë dhe ekzekutuan pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj, ndërsa vetëm tre persona arritën të mbijetojnë.
Kjo ngjarje konsiderohet si një ndër masakrat më të rënda dhe më çnjerëzore të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Në përkujtim të kësaj dite, ka reaguar edhe kryetari i Organizata e Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, i cili e cilësoi masakrën si një krim barbar të kryer nga forcat serbe.
Ai theksoi se kjo masakër dëshmon për krimet e kryera në gjithë territorin e Kosovës dhe paralajmëroi se gjatë muajve në vijim do të realizohen vizita në të gjitha vendet ku kanë ndodhur masakra për të nderuar të rënët.
Gucati bëri thirrje për respekt dhe kujdes ndaj historisë së luftës, duke theksuar obligimin qytetar për të vizituar varrezat dhe për të qëndruar pranë familjeve të viktimave. Ai gjithashtu pati kritika ndaj Shkelzen Gashi lidhur me debatet e fundit për trajtimin e historisë së luftës.




