Pas mbërritjes në Turqi, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se po punojnë për të forcuar partneritetin ndërkombëtar me synim mbrojtjen e qytetarëve, avancimin e stabilitetit dhe garantimin e sigurisë në Evropë dhe Lindjen e Mesme.
Vizita e tij vjen pas sulmeve të fundit nga Rusia në Ukrainë, të cilat lanë pesë persona të vrarë dhe rreth 30 të plagosur.
Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, Rusia lëshoi 286 dronë, prej të cilëve 260 u rrëzuan. Në qytetin Nikopol, në rajonin e Dnjipropetrovskut, humbën jetën pesë persona, ndërsa 19 të tjerë, përfshirë një vajzë 14-vjeçare, u plagosën.
Ndërkohë, në Sumy, pranë kufirit me Rusinë, një tjetër sulm plagosi 11 persona, mes tyre një 15-vjeçar, duke shkaktuar dëme në zona banimi dhe infrastrukturë.
Në kryeqytetin Kiev, një sulm me dron shkaktoi zjarr në një ndërtesë që shërbente si zyrë dhe depo, por pa viktima.




