Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka komentuar zhvillimet rreth zgjedhjes së presidentit të vendit, duke paralajmëruar për rrezikun e përqendrimit të pushtetit në një parti të vetme.
“Së pari, nuk do të ishte zgjidhje që VV, duke pasur shumicën në Kuvend, Kryeparlamentarin dhe Qeverinë, të ketë edhe Presidentin. Kështu do të ktheheshim në një shtet njëpartiak,” tha Mustafa. Ai shtoi se zgjidhja duhet të vijë përmes bashkëpunimit ndërmjet pozitës dhe opozitës, duke përfshirë mundësinë e një kandidature të pranueshme për të dyja palët.
“Do të ishte zgjidhje që partia që ka shumicën të tregojë vullnet për një president nga opozita ose një personalitet për të cilin pajtohen pozita dhe opozita,” theksoi ai. Mustafa nënvizoi rëndësinë e balancës institucionale dhe përfaqësimit të interesave të vendit, edhe nëse nuk ekziston figura ideale.
Ai paralajmëroi se mungesa e vullnetit politik për kompromis mund të çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja: “Nëse nuk gjendet ky vullnet, do të ishte më mirë të përfundohet ky cikël i amullisë dhe të shkohet në zgjedhje.”
Mustafa gjithashtu e vendos situatën politike në një kontekst më të gjerë, duke theksuar rëndësinë e orientimit strategjik për vendin, ndërsa Kushtetuesja ka përcaktuar afatin 34-ditor për zgjedhjen e presidentit, deri më 28 prill. Nëse nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh.




