Presidenca e Republikës së Kosovës ka hapur profile të reja zyrtare në rrjetet sociale për të siguruar komunikim të vazhdueshëm me qytetarët.
Ky vendim vjen pas përfundimit të mandatit të presidentes së mëparshme, kur profilet ekzistuese u administruan nga zyra e saj dhe nuk përfaqësojnë më komunikimin zyrtar të Presidencës.
“Institucionet publike nuk lidhen me mandate individuale; komunikimi duhet të jetë i qëndrueshëm, i qartë dhe në shërbim të qytetarëve,” thuhet në njoftim.
Profilet e reja do të menaxhohen drejtpërdrejt nga Presidenca dhe do të jenë burimi i vetëm i informacionit zyrtar, duke garantuar vazhdimësinë institucionale dhe qartësinë në komunikim.
Gjithashtu, Presidenca thekson se profilet në rrjetet sociale janë pronë e institucionit dhe do të mbeten aktive pavarësisht nga ndryshimet në udhëheqje.




