Eksperti amerikan Edward P. Joseph ka paralajmëruar se një tërheqje e mundshme e trupave amerikane nga KFOR do të ishte një gabim serioz me pasoja për stabilitetin në Kosovë dhe rajon.
Në një lidhje direkte për emisionin Rretheqark në A2CNN, Joseph tha se një veprim i tillë do të rrezikonte paqëndrueshmëri të shtuar dhe shprehu shpresën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mos ndërmarrin një hap të tillë.
Ai ngriti shqetësimin për qasjen e Donald Trump, duke e cilësuar të paparashikueshëm dhe pa përjashtuar mundësinë e një vendimi të papritur. Joseph tha se ka diskutuar çështjen me zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe Kongresit, duke i dërguar edhe letër sekretarit Marco Rubio për të ndaluar një tërheqje të mundshme.
Sipas tij, largimi i trupave amerikane nga misioni paqeruajtës mund të krijojë hapësirë për destabilizim jo vetëm në Kosovë, por në gjithë Ballkanin.




