Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Tammy Bruce, ka rikonfirmuar qëndrimin amerikan për përfundimin e misionit të UNMIK-ut në Kosovë.
Ajo theksoi se zhvillimet në terren dhe roli i institucioneve vendore tregojnë qartë se ky mision ka përmbushur qëllimin e tij dhe nuk është më i nevojshëm.
“UNMIK-u u krijua në vitin 1999, në bazë të Rezolutës 1244, për të ndihmuar në stabilizimin e situatës pas luftës në Kosovë. Por rrethanat kanë ndryshuar rrënjësisht. Kosova e vitit 2026 nuk është ajo e vitit 1999 dhe nuk ka më arsye të trajtohet si e tillë,” deklaroi ajo.
Bruce shtoi se aktualisht siguria në rajon mbështetet nga KFOR-i, ndërsa UNMIK-u nuk ka më rol qeverisës, ushtarak apo ndërmjetësues dhe nuk kontribuon në procesin e normalizimit.
Ajo u bëri thirrje gjithashtu shteteve financuese të rishqyrtojnë mbështetjen për këtë mision.
Duke folur për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, Bruce theksoi nevojën për ulje të tensioneve dhe avancim të dialogut.
“Rruga e vetme përpara është normalizimi. Donald Trump dhe qytetarët amerikanë presin angazhim të qartë nga të dyja palët për bashkëpunim dhe zhvillim të përbashkët,” tha ajo.Ajo shprehu shpresën që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, të ndërmarrin hapa konkretë për deeskalim dhe të angazhohen në një dialog të sinqertë.
“Do të punojmë ngushtë me liderë që shohin drejt së ardhmes dhe jo së kaluarës, për një dialog real dhe jo formal,” përfundoi Bruce.




