Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për masat e përkohshme për produktet themelore në rast të destabilizimit të tregut, me 63 vota për dhe 19 kundër.
Projektligji u prezantua nga Hekuran Murati, i cili tha se synon mbrojtjen e konsumatorëve përmes vendosjes së çmimeve tavan dhe marzhave tregtare në situata të jashtëzakonshme. Ai theksoi se bëhet fjalë për masa të përkohshme dhe jo ndërhyrje të përhershme në treg.
Sipas propozimit, parashihet edhe krijimi i një bordi të pavarur pesëanëtarësh që do të mbikëqyrë zbatimin e masave.
Projektligji u kundërshtua nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat ngritën shqetësime për ndërhyrje në tregun e lirë dhe mungesë të pavarësisë së bordit.
Shqyrtimi i dytë i projektligjit pritet të mbahet më 23 prill.




