Anëtari i LDK-së, Visar Azemi, ka deklaruar se vendimi i ZRRE-së për të mos rritur tarifat e energjisë elektrike ka ardhur pas publikimit të problemit me njehsorët elektrikë.
Sipas tij, nuk mund të ketë ndryshim të çmimit të rrymës pa u sqaruar plotësisht çështja e orëve të energjisë. Azemi theksoi se kërkesa e tyre ka qenë e qartë: të mos merret asnjë vendim për rritje tarifash pa u zbardhur e vërteta.
“Pas skandalit me njehsorët elektrikë dhe kërkesës sonë që të mos ketë rritje të çmimit pa transparencë të plotë, ZRRE ka vendosur të mos i rrisë tarifat e energjisë elektrike”, ka shkruar ai.
Azemi e ka cilësuar këtë si një fitore për qytetarët, duke shtuar se reagimi publik dhe kërkesa për drejtësi kanë dhënë rezultat.
Megjithatë, ai ka paralajmëruar se angazhimi nuk do të ndalet derisa rasti të zbardhet plotësisht, përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi dhe qytetarëve t’u kthehen mjetet e humbura.




