Xhudistja kosovare Distria Krasniqi do të garojë të enjten në Tbilisi të Gjeorgjisë në Kampionatin Evropian të xhudos 2026, ku hyn si bartëse e parë dhe favorite kryesore në kategorinë deri në 52 kilogramë.
Krasniqi, kampione në fuqi dhe një nga sportistet më të suksesshme evropiane në këtë disiplinë, ka fituar medalje të shumta në kampionatet e kaluara evropiane, përfshirë tri të arta, dy të argjendta dhe dy të bronzta.
Në këtë kategori garojnë 24 xhudiste, ndërsa ndër rivalet kryesore të saj përmenden sportiste nga Hungaria, Italia dhe Franca. Megjithatë, forma e saj e mirë dhe rezultatet e fundit e mbajnë atë si pretendente kryesore për medaljen e artë.
Në garë për Kosovën do të jenë edhe Erza Muminoviq dhe Fatjona Kasapi, ndërsa në ditët në vijim pritet të garojnë edhe Laura Fazliu dhe Akil Gjakova.




