Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka zhvilluar një takim njoftues me Shefat e Misioneve të shteteve anëtare të BE-së, me ftesë të përfaqësueses së BE-së në Kosovë, Eva Palatová.
Në fokus të diskutimeve ishte ecuria e procesit të integrimit të Kosovës në BE, zbatimi i Agjendës së Reformave në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, si dhe forcimi i koordinimit institucional për realizimin e reformave.
Zulfaj ka falënderuar BE-në për mbështetjen e deritanishme dhe ka theksuar se prioritet mbetet avancimi i Kosovës drejt statusit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim.
Ai shtoi se Kosova është e linjëzuar me politikat e BE-së dhe ndan vlera të përbashkëta evropiane, duke e cilësuar anëtarësimin si një hap të natyrshëm dhe të merituar.




