Juristja e medias, Flutura Kusari, ka reaguar ashpër ndaj procesit të përzgjedhjes së anëtarëve të bordeve të Radio Televizionit të Kosovës dhe Komisionit të Pavarur për Media, duke e cilësuar atë si të papërshtatshëm me standardet demokratike.
Në një konferencë për media, ajo ka theksuar se niveli i kandidatëve është shumë i ulët dhe se mungesa e besimit të profesionistëve në proces ka ndikuar në cilësinë e aplikimeve./EO/
Sipas saj, mënyra e organizimit të intervistave është problematike, duke përmendur rastet kur kandidatët janë njoftuar në orët e vona për t’u paraqitur në intervistë të nesërmen në mëngjes.
Kusari ka vlerësuar se këto praktika përbëjnë, sipas saj, mungesë serioziteti dhe cenim të proceseve demokratike, duke ngritur shqetësime për transparencën dhe meritokracinë në përzgjedhjen e anëtarëve të institucioneve të pavarura.




