Në dosjen përfundimtare të mbrojtjes së Jakup Krasniqit thuhet se Prokuroria e Hagës nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për të vërtetuar akuzat ndaj tij.
Sipas mbrojtjes, nuk ka ekzistuar asnjë “qëllim i përbashkët kriminal” brenda UÇK-së, duke theksuar se organizata ishte themeluar për mbrojtjen e popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë.
“Nuk ka pasur kurrë një qëllim të përbashkët kriminal për të ushtruar kontroll mbi Kosovën përmes kryerjes së krimeve kundër kundërshtarëve. Asnjë dëshmitar i besueshëm nuk ka dëshmuar për ekzistencën e një qëllimi të tillë,” thuhet në dosje.
Mbrojtja gjithashtu thekson se asnjë dëshmitar nuk e ka lidhur Krasniqin me ndonjë krim dhe se pretendimet e Prokurorisë janë të pabazuara.
Vendimi përfundimtar i gjykatës pritet të shpallet deri më 19 maj, nëse nuk kërkohet shtyrje e afatit.




