Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur ngushëllime pas tragjedisë së rëndë në Malishevë, ku humbën jetën një baba dhe dy fëmijë të mitur si pasojë e një zjarri në banesë.
Haxhiu tha se e ka pranuar me dhimbje lajmin tragjik dhe u shprehu ngushëllime familjarëve dhe të afërmve të viktimave. “Në këto çaste të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e viktimave. Ndajmë dhimbjen me ta dhe lutemi që të gjejnë forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë”, ka shkruar ajo në Facebook.
Sipas Policisë së Kosovës, dyshohet se babai dhe dy fëmijët ndodheshin në banesë në momentin e shpërthimit të zjarrit. Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, bëri të ditur për RTK se menjëherë pas pranimit të informacionit në vendngjarje kanë dalë njësitë policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente.
Zjarri është lokalizuar, ndërsa për rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili do të hetojë rrethanat e ngjarjes.




