Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar me 89 vota pro angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misionin e Forcës Stabilizuese Ndërkombëtare (ISF) në Gaza, duke shënuar një vendim të cilësuar si të rëndësishëm dhe historik.
Sipas ish-presidentes Vjosa Osmani, ky vendim përfaqëson një dëshmi të unitetit shtetëror dhe përkushtimit të Kosovës ndaj paqes, sigurisë dhe përgjegjësisë globale, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Ajo theksoi se ky angazhim vjen në vazhdën e zotimeve të mëhershme të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët.
Osmani vlerësoi se pjesëmarrja e FSK-së në këtë mision rrit kapacitetet profesionale të forcës dhe forcon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, duke e afruar vendin më pranë synimit strategjik për anëtarësim në NATO.
Ajo gjithashtu bëri thirrje për ratifikim të shpejtë dhe unanim të marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, duke e cilësuar si mekanizëm të rëndësishëm për koordinimin e misionit dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në fund, Osmani shprehu mirënjohje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për besimin dhe përfshirjen e Kosovës në këtë proces.




