Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, gjatë fjalimit në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar se në shumicën e shtëpive në Kosovë po vazhdon, siç u shpreh ajo, vjedhja e energjisë elektrike në sytë e shtetit.
Ajo tha se rreth 87 për qind e shtëpive po përballen me matje të pasakta të konsumit të energjisë elektrike, duke akuzuar institucionet për neglizhencë në verifikimin e saktësisë së njehsorëve elektrikë.
“Sot derisa ne po flasim këtu, rreth 87 për qind të shtëpive është duke iu vjedhur energjia elektrike… për shkak të neglizhencës së kësaj qeverie”, tha ajo, duke shtuar se Ministria përkatëse nuk ka siguruar matje të sakta përmes institucioneve të saj.
Lushaku-Sadriu theksoi gjithashtu se, sipas saj, edhe KEDS dhe ministria kanë konstatuar pasaktësi në matje dhe janë shqiptuar gjoba në mënyrë joformale, të cilat i quajti “sa për sy e faqe”.
Ajo kërkoi që qeveria të mos lejojë ndryshimin e njehsorëve elektrikë në këtë fazë, me qëllim që, siç tha ajo, të mos fshihen provat dhe të sigurohet transparenca e procesit.
“Kërkojmë që të sigurohet që njehsorët të mbesin aty si prova për hetuesinë dhe të konstatohet kjo çështje”, shtoi Lushaku-Sadriu.
Ndërkohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka gjobitur kompaninë KEDS për mosrespektim të afatit të vlefshmërisë së verifikimit të njehsorëve elektrikë.
Nga ana tjetër, KEDS ka deklaruar se është e përkushtuar të bashkëpunojë me institucionet përkatëse dhe të trajtojë çështjen në mënyrë transparente dhe në përputhje me obligimet ligjore. Kompania gjithashtu ka bërë të ditur se konsumatorët e prekur nga devijimet e mundshme do të kompensohen plotësisht.




