Me ardhjen e pranverës dhe lulëzimin e natyrës, shumë qytetarë po përballen me përkeqësim të gjendjes shëndetësore për shkak të alergjive sezonale të shkaktuara kryesisht nga poleni. Simptomat më të shpeshta përfshijnë teshtima të vazhdueshme, rrjedhje hundësh, kruarje të syve dhe vështirësi në frymëmarrje.
Mjekët alergologë paralajmërojnë se numri i pacientëve me alergji pranverore është në rritje, sidomos gjatë kësaj periudhe kur përqendrimi i polenit në ajër është më i lartë si pasojë e lulëzimit të pemëve dhe bimëve.
Drejtoresha e Klinikës së Alergologjisë në QKUK, Bardhë Selmanaj-Bislimi, thekson se vitet e fundit është vërejtur rritje e rasteve në institucionet publike, me dominim të rinitit alergjik dhe rritje të astmës. Ajo shton se gjithnjë e më shpesh po raportohen edhe reaksione ushqimore, sidomos te personat me alergji ndaj polenit.
Sipas saj, më të prekurit janë fëmijët dhe të rinjtë nga mosha 5 deri në 25 vjeç, por raste ka edhe te të rriturit.
Ndërkohë, alergologu Enis Halimi thekson rëndësinë e diagnostikimit të hershëm dhe trajtimit të duhur mjekësor, duke paralajmëruar kundër vetëmjekimit, i cili mund të përkeqësojë gjendjen.
Specialistët apelojnë që simptomat të mos neglizhohen, pasi me kalimin e kohës mund të shfaqen komplikime dhe alergji të kryqëzuara ndaj faktorëve të ndryshëm, përfshirë edhe ushqimet.




