Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në hapjen e ekspozitës “Kronologjia e Lirisë”, të fotoreporterit Ridvan Slivova.
Në fjalën e saj, U.D. Presidentja Haxhiu shprehu mirënjohje për Ridvan Slivovën, si dhe për gazetaret e gazetarët që kontribuuan në dokumentimin dhe shpalosjen e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë.
“E kuptojmë se rrethanat në të cilat keni vepruar kanë qenë jashtëzakonisht të vështira dhe sfiduese. Shumë shpesh, në rrezik ka qenë edhe vetë jeta juaj. Prandaj, më lejoni t’ju falënderoj nga zemra për gjithçka që keni bërë dhe për faktin se nuk jeni ndalur asnjëherë në shpalosjen e këtyre krimeve”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo tha se sot Kosova ka edhe Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, një institucion i domosdoshëm për dokumentimin, verifikimin dhe ruajtjen e së vërtetës historike.
“Kemi bërë mirë që, si institucione të Republikës së Kosovës, tashmë e kemi këtë Institut, i cili do të ndihmojë në dokumentimin dhe verifikimin e të gjitha krimeve të luftës, gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit”, u shpreh ajo./EO/




