Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës po merr pjesë në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili po mbahet nga sot, 20 prill deri më 24 prill në Strasburg.
Delegacioni përfaqësohet nga Ardian Gola, kryesues i delegacionit dhe njëherësh nënkryetar i Kuvendit, si dhe nga Emilija Rexhepi, anëtare e delegacionit dhe njëherësh nënkryetare e Kuvendit.
Gjatë qëndrimit në Strasburg, ata do të marrin pjesë në punimet e sesioneve, mbledhjet e komiteteve dhe aktiviteteve të tjera në kuadër të APKE-së.
Në kuadër të kësaj pjese të sesionit do të trajtohen tema të lidhura me zhvillimet aktuale si dhe do të ketë adresime nga përfaqësues të lartë të shteteve dhe institucioneve të tjera.
Sot, ditën e hënë, në kuadër të sesionit, pritet të zhvillohet edhe debati për raportin mbi vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Ky raport është përgatitur nga delegacioni vëzhgues i APKE-së, i cili ka zhvilluar dy misione vëzhguese, një gjatë ditës së zgjedhjeve, më 28 dhjetor 2025 dhe një mision pas zgjedhor, të realizuar të premten e javës së kaluar, me 17 prill 2026.
Në këtë debat, krahas folësve të tjerë, pritet që edhe nënkryetari Gola t’u drejtohet anëtarëve të asamblesë, duke paraqitur vlerësimet për procesin e fundit zgjedhor në Kosovë.




